Takim me përfaqësues të Pushtetit Lokal dhe të Bizneseve në sektorin minerar në Pogradec

Në kuadër  të takimeve me Strukturat Lokale,  më datë 5 Qershor 2018  Sekretariati Kombëtar EITI organizoi takime me përfaqësues të Pushtetit Lokal dhe të Biznesit Minerar  në qytetin e Pogradecit.

Sekretariati Kombëtar EITI,  nëpërmjet programimit të këtyre takimeve të drejtëpërdrejta me drejtues të Pushtetit Lokal dhe Biznesit, në shumë qytete dhe Bashki të vendit, synon të diskutojë çështje kyçe sensitive që prekin Industrinë Nxjerrëse si: të ardhurat nga Renta minerare për Pushtetin Lokal; Impakti social dhe mjedisor të këtyre të ardhurave nga Renta Minerare,  si dhe problematikat që lidhen me proçesin e deklarimit të bizneseve minerare në konformitet me  Standartin EITI.

Drejtori i Sekretarit Kombëtar EITI,  z. Ardit Kamberi  në takimin që zhvilloi me Kryetarin e Bashkisë z. Eduart Kapri dhe stafin e Bashkisë së Pogradecit, vuri theksin në marrëdhëniet me pushtetin vendor,  si një nga prioritetet në aktivitetin e Sekretariatit, me synimin e maksimizimit të impakteve që ka renta Minerare në interesat e komunitetit në punësim,  si dhe destinimin e të ardhurave në impaktet reale mjedisore, infrastrukturore dhe sociale.

Duke vleresuar potencialet turistike të kësaj Bashkie, marrë në konsideratë dhe  projektin potencial për përfshirjen e Liqenit të Ohrit në statusin e UNESCO-s, një nga vektorët shumë të rëndësishëm të sektorit  të Industrisë Nxjerrëse, konsiderohen masa konkrete për ruajtjen dhe rikuperimin e mjedisit, në ato zona  ku ushtrohen këto  aktivitete.

Në Bashkinë e Pogradecit aktualisht ushtrojnë aktivitet minerar 22 subjekte,  kryesisht në nxjerrjen e mineraleve të Kromit dhe Hekur – Nikelit. Po ashtu,  në territorin e kësaj Bashkie operojnë 15 subjekte me Koncesione të HEC-ve të vegjël.

Gjatë takimit Kryetari i Bashkisë z.  Kapri kërkoi rritjen e bashkëpunimit mes organizmave lokal dhe atyre qëndrore, me synimin për një kontroll dhe manaxhim më të mirë të kompanive minerare dhe koncesionare që operojnë në qytetin e Pogradecit.

Nga strukturat e pushtetit vendor janë evidentuar raste kur bizneset që ushtrojnë aktivitet minerar,  dëmtojnë infrastrukturën rrugore në zonat ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, po ashtu edhe sipërfaqet e Liqenit me mbetjet e sterileve. Një fenomen shqetësues është dhe mos reabilitimi i plotë i  sipërfaqeve të marra për shfrytëzim nga ana e disa subjekteve, e cila  është një kërkesë taksative ligjore në ushtrimin e aktivitetit minerar.

Në takim u diskutua lidhur  me rëndësinë që ka Transparenca në mirëmanaxhimin e burimeve natyrore, si mjeti dhe politika më e mirë për zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të komuniteteve.

Nga ana e Sekretariatit Kombëtar EITI shihet me prioritet miratimi i përmirësimit të kuadrit ligjor lidhur me Transparencën në Industrinë Nxjerrëse, për të preçizuar edhe masat penalizuese  për subjektet që nuk respektojnë proçesin e raportimit në konformitet me standartet e miratuara.

Nga ana e  Sekretariatit Kombëtar EITI u zhvillua edhe një takim i përbashkët edhe me përfaqësues të Bizneseve që ushtrojnë aktivitet minerar në Bashkinë e Pogradecit.

Në takim u detajua rëndësia e përfshirjes reale të Biznesit në proçesin EITI,  në bashkëpunim me Institucionet Qëndrore, Pushtetin Lokal dhe Shoqerinë Civile, për promovimin e Transparencës në administrimin e Burimeve natyrore,  si një prerogativë për krijimin e një klime të qëndrueshme dhe atraktive për biznesin.

Raportimi sipas standartit EITI është një çertifikim shumë serioz dhe zyrtar për biznesin, nëpërmjet të cilit kompanitë  promovojnë  transparencën dhe potencialet e aktivitetit të tyre,  në raport me Institucionet shtetërore dhe lokale, si dhe rrisin mundësinë e bashkëpunimit me partnerë të huaj.

Përfaqësuesit e Bisnesit, duke bërë një prezantim të detajuar të aktivitetit të tyre minerar,   shprehën  gadishmërinë të rrisin angazhimin e tyre konstruktiv në trekëndëshin Qeveri-Biznes-Shoqëri Civile  dhe në të njëjtën kohë  në raport me Pushtetin vendor dhe komunitetin lokal, për një  ndikim më të gjerë pozitiv në zhvillimin e impaktit social dhe mjedisor.