Takim i Grupit Ndërinstitucional të Punës (MSG)

Më datë 24 Janar 2020, Drejtuesi i Sekretariatit Kombëtar EITI, z. Genci Tërpo, zhvilloi një takim me anëtarët e Grupit Ndërinstitucional të Punës (MSG), të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Ilir Bejtja.

Ky takim u zhvillua në kuadër të ecurisë së punës, mbi çështjet që lidhen me diskutimin dhe miratimin e Planit të Punës 2020, Veprimeve Korrigjuese (Corrective Actions) të dala nga Validimi II dhe miratimin e Listës së Kompanive që do të raportojnë për Raportin EITI 2017-2018.

Z. Genci Tërpo u ndal në zhvillimet kryesore që nga dita e parë që mori drejtimin e Sekretariatit Kombëtar EITI, ndërsa përmendi dhe disa nga sfidat me të cilat përballet Sekretariati.

Përzgjedhja e Administratorit të Pavarur dhe fillimi i punës për përgatitjen e Raportit EITI 2017-2018, përbën një nga hapat thelbësorë që z. Tërpo ndërmorri dhe që proçesi EITI në Shqipëri të eci me ritëm sa më të përshpejtuar në përputhje me standartin ndërkombëtar.

Një tjetër çështje me rëndësi e trajtuar gjatë takimit ishte dhe publikimi i Pronarëve Realë (Beneficial Ownership), ku konkretisht Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë duke punuar mbi finalizimin e draft-ligjit për transparencën e Pronarëve Realë.

Në mbyllje të takimit, anëtarët e MSG shprehën angazhimin e tyre në konkretizimin e hapave, gjatë 6-të mujorit të parë  të vitit, për të kryer Veprimet Korrigjuese në lidhje me përfshirjen e shoqërisë civile, shpërndarjen e liçensave, pjesëmarrjen e shtetit, gjithëpërfshirjen e informacioneve shpjeguese, pagesat direkte lokale dhe besueshmëria e të dhënave.