Sekretariati EITI pjesëmarrës zyrtar në eventin e OECD të takimit të 11-të Plenar Ndërkombëtar për Dialogun mbi Politikat për Zhvillimin bazuar në Burimet Natyrore

Në datat 12 -13 Dhjetor në Paris me organizimin e OECD u zhvillua Takimi 11-të Plenar Ndërkombëtar për Dialogun mbi Politikat për Zhvillimin bazuar në Burimet Natyrore.

Dialogu mbi Politikat për Zhvillimin bazuar në Burimet Natyrore është një proçes ndërqeveritar shumëvjeçar për shkëmbimin e praktikave dhe bashkërendimit ndërmjet vendeve partnere të OECD-së të cilat prodhojnë minerale, naftë dhe gaz,  mbi mënyrën e shfrytëzimit të burimeve natyrore për transformim strukturor dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Dialogun mbi Politikat për Zhvillimin bazuar në Burimet Natyrore fokusohet në katër Objektiva Pune: (i) Krijimi i Vlerave të Përbashkëta dhe Zhvillimi Lokal; (ii) Menaxhimi i të ardhurave dhe shpenzimet; (iii) Arritja e Marrëveshjeve më të Mira, dhe (iv) Mobilizimi i Burimeve të Brendshme (Trajtimi i BEPS, Anti-korrupsioni dhe Transparenca e tregtimit të lëndëve të para/ Commodity Trading).

Ky event i rëndësishëm dyditor mblodhi në Paris  përfaqësues të Qeverive, Organizatave ndërkombëtare, Industrive nxjerrëse, Shoqëri civile dhe think tank dhe ofroi mundësi për të çuar përpara Objektivat e ndryshme të Punës, sipas udhërrëfyesit të rënë dakord në Takimin e 10-te të zhvilluar më 25-26 Qershor 2018.

Me ftesë të organizatorëve në këtë event  morën pjesë për herë të parë edhe përfaqësues të Sekretariatit Kombëtar EITI Shqipëri.

Në sesionet e ditës së dytë të Takimit ku u diskutua mbi Commodity Trading përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse ranë dakord të punojnë drejt zhvillimit të një modeli global të raportimit për deklarimin e pagesave nga kompanitë shtetërore në tregtimin e lëndëve të para në Industrinë Nxjerrëse / Commodity Trading. Në të njëjtën kohë, ata gjithashtu kërkuan një vlerësim të nevojës kritike për një informacion të tillë dhe sigurinë që ai do të përkthehej në kërkesë efektive për llogaridhënie nga përdoruesit e fundit. Ky Sesion shqyrtoi saktësisht se çfarë lloj informacioni është i nevojshme dhe i dobishëm për t’u deklaruar në mënyrë që të krijojë një kërkesë efektive për llogaridhënie dhe transparencën e nevojëshme  për krijimin e një mjedisi të besueshëm në vendet e pasura me burime natyrore.

Gjatë eventit  u prezantua  edhe një informacion përmbledhës i Projektit Pilot për Commodity Trading nga përfaqësues të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI Oslo, gjatë të cilit u prezantuan gjetjet e deritanishme në Raportet për Commodity Trading të vëndeve pjesëmarrëse në këtë projekt, ndërmjet  tyre dhe Projekti Pilot i cili po implementohet në Shqipëri.