Raporti EITI 2015 në qytetin e Patosit dhe Fierit

Në datat 6-7 Mars 2017, grupi i Sekretariatit EITI Albania zhvilluan një sërë takimesh  në Bashkitë  e Fierit dhe Patosit me qëllim promovimin e Nismës EITI dhe prezantimin e Raportit EITI 2015.

Në Bashkinë Fier u zhvillua një takim me Administratorin e Përgjithëshëm z. Florian Muçaj dhe Drejtoreshën e Degës të Financës zj. Leida Lira dhe punonjës të  Bashkisë ku u fol për Nismën EITI dhe Raportin EITI 2015. Gjithashtu u diskutua për përfitimet financiare që Bashkia Fier kishte marrë nga renta minerare dhe që këto financime detyrimisht duhet të përdoren për investime publike, të cilat duhet të jenë të prekëshme nga  banorët.  Ndër problemet që u diskutuan ishte ai i ndotjes së mjedisit që shkaktohet nga kompanitë e shfrytëzimit të naftës kryesisht Bankers Petroleum.

Një takim i ngjashëm u zhvillua në shkollën e mesme Jakov Xoxa, ku u fol për Nismën EITI dhe përfitimet që ka komuniteti nga EITI . Gjatë takimit u diskutua mbi rolin që duhet të luajnë të rinjtë në komunitet në  lidhje me këtë nismë.

Në datën 7 Mars takimet vazhduan në  Bashkinë Patos si njësia administrative ku  shtrihet zona më e madhe naftë mbajtëse ajo e Patos-Marinzës. Në këtë zonë ushtron aktivitetin prodhues  kompania Bankers Petroleum. Në takim me Përgjegjësen e Zyrës të Financave, të Tatim Taksave si dhe punonjës  të Bashkisë Patos u trajtuan problematikat që ka sjellë aktiviteti i kompanive të naftës, përfitimet  financiare dhe pasojat kryesisht mjedisore që vijnë nga aktiviteti i këtyre kompanive. Gjithashtu u trajtua problemi i pasojave  nga aktiviteti sizmik i shkaktuar nga Bankers Petroleum në zonën e Zharrzës. Në takim u prezantua dhe Raporti EITI 2015. Takime të ngjashme u zhvilluan edhe me grupe të ndryshme banorësh ku u trajtuan këto probleme.