Për rritjen e sinergjisë me Investitorët Ndërkombëtarë në proçesin e Trasparencës – Takim me Drejtorin e ri të Përgjithshëm të SHELL Upstream Albania, z. Rohan D’Souza

Në datën 22 Janar 2019 në ambjentet e Sekretariatit Kombëtar EITI, u zhvillua një takim me përfaqësuesit e SHELL Upstream Albania B.V. (degë e Royal Dutch Shell), kryesuar nga Drejtori i ri i Përgjithshëm në Shqipëri, z. Rohan D’Souza.

Shoqëria Anglo- Holandeze Royal Dutch SHELL plc. është aktualisht  shoqëria më e madhe në botë e naftës dhe gazit,  e vlerësuar  nga aktivet, fitimet dhe kapitalizimin e tregut.  

Në progresin pozitiv të aktivitetit  në Shqipëri të studimit sizmik, eksplorimit dhe vlerësimit në zonën e Shpiragut, me një potencial nxjerrës 800-1,300 fuçi/ditë të naftës 35 – 37 gradë API, në vitin 2013 SHELL Albania B.V. zgjeroi në 75% interesat në marrëveshjen hidrokarbure.

Gjatë takimit Drejtori i Sekretariatit Kombëtar EITI, z. Ardit Kamberi,  vlerësoi angazhimin dhe bashkëpunimin  për rritjen e sinergjisë në proçesin  e Transparencës ndërmjet strukturave shtetërore dhe investitorëve ndërkombëtarë  prestigjoze  si kompania Shell, si një garanci për  promovimin e një klime atraktive dhe  transparente  për investimet e huaja  dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri.

Z. D’Souza theksoi faktin se Royal Dutch Shell ka qënë një nga mbështetësit e parë të iniciatives ndërkombëtare për Transparencë EITI, si dhe në aktivitetin në Shqipëri përveç aktivitetit komercial me impakt pozitiv edhe në buxhetin e shtetit, ka në fokus edhe investimet në projekte në favor të komuniteteve, duke përfshirë programe Edukimi dhe Trainimi profesional, Sigurisë në rrugë, Kujdesit  shëndetësor,  si dhe suportin për zhvillimin e SME-ve.

Gjatë takimit u diskutua në frymë mirëkuptimi të plotë, për forcimin e angazhimit dhe bashkëpunimit konkret në kuadër të MSG-EITI, në aktivitete dhe programe të përbashkëta në fusha me interes reciprok,  kryesisht në Informimin publik mbi avantazhet e transparencës në Industrinë Nxjerrëse, Involvimin më të madh në këtë proçes të Shoqërisë Civile, si dhe vleresimin dhe publikimin e  impakteve sociale dhe mjedisore,  që burojnë nga përdorimi efektiv i të ardhurave nga renta, për interesin  publik dhe në mënyrë të veçantë në favor të komuniteteve lokale.