Mision i Bankës Botërore në Tiranë për diskutimin e prioriteteve EITI dhe vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm sektorial

Në datat 11-12 Prill 2019 një Mision i Bankës Botërore nga Washingtoni,  zhvillon  vizita pune në Tiranë, në funksion të suportit për implementimin e aktivitetit EITI në  Shqipëri.

Përfaqësuesit e Misionit të Bankës Botërore, z. David Reinstein dhe z. Sridar Kannan,  në takimin me Drejtorin e Sekretariatit Kombëtar  Alb-EITI, z. Kamberi,  diskutuan mbi ecurinë dhe progresin e Grantit të Bankës Botërore, në suport të aktivitetit EITI në Shqipëri,  si dhe mbi perspektivat reale të vijimit të këtij bashkëpunimi të frytshëm.

Misioni i Bankës Botërore zhvilloi një takim të zgjeruar edhe me MSG EITI, ku bëri një Prezantim të detajuar të eksperiencave të financimeve të suksesshme ndërkombëtare të Bankës Botërore, të cilat kanë ndihmuar sistematizimin e proçeseve EITI, si dhe mirëqeverisjen sektoriale (ku inkludohen proçeset e liçensimeve, mbledhja  dhe alokimi i të ardhurave nga industria nxjerrëse etj.),  në mbështetje të proçeseve EITI.

Në takimin e MSG, pas një Prezantimi sintetik të Sekretariatit Kombëtar EITI për ecurinë e aktiviteteve që përfshihen në Grantin për periudhën 2019-2020, formulimin e prioriteteve, si dhe vizionin e bashkëpunimit me Bankën Botërore, u diskutua nga anëtarët e MSG lidhur me promovimin e Transparencës dhe mirëqeverisjes në sektorët e gazit, naftës dhe minierave, si dhe për formulimin e strategjive inovative për suportin sektorial në Shqipëri.

Misioni i Bankës Botërore do të zhvillojë një axhendë intensive takimesh në Tiranë edhe me Drejtues të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan progresin evident aktual të aktivitetit EITI në Shqipëri, si një nga treguesit domethënës në promovimin e transparencës në funksion të reformave për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social të Shqipërisë.