Konferenca Ndërkombëtare “OTC – Oil and Gas Offshore Technology 2018”, 30 Prill- 3 Maj 2018,Houston Texas, SHBA

Në datat 30 Prill – 3 Maj 2018 në Houston Texas, USA, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare “OTC – Oil and Gas Offshore Technology 2018”.

Konferenca e shoqëruar edhe me Panair Ndërkombëtar, është  eventi me i madh Global në Sektorin e Naftës dhe Gazit, me pjesëmarrjen e më shumë se 60.000 politikëbërësve, vendimarrësve, ekspertëve  dhe përfaqësuesve të Bizneseve më të mëdha ndërkombëtare në Sektorin Hidrokarbur.

Me ftesë të Ambasadës Amerikane në Tiranë si dhe të Organizatorëve të eventit  në këtë Konferencë Ndërkombëtare morri pjesë edhe Drejtuesi i Sekretariatit Kombëtar EITI,  z. Ardit Kamberi.

Aktiviteti EITI funksionon si një vitrinë transparente dhe konsistente për investitorët e huaj, çertifikuar mbi bazën e standarteve ndërkombëtare, me fokusin në transparencën për mirëadministrimin e sektoreve Hidrokarbur, Minerar dhe Elektro – Energjitik.

Konferenca  Ndërkombetare OTC që zhvillohet në mënyrë të përvitëshme në Houston, Texas (i cili konsiderohet Kryeqyteti Botëror i Energjisë), celebroi 50 – Vjetorin e organizimit të këtij eventi me magnitutë shumë të lartë globale në Sektorin e Naftës dhe Gazit.

Gjatë seancave të eventit ndërkombëtar  Z. Kamberi zhvilloi takime me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Tregëtisë, US Commercial Service,  si dhe me  përfaqësues të zyrës së  Guvernatorit të Teksasit,  ku u diskutua mbi potencialet e Shqipërisë në thithjen e investimeve në Sektorin e Naftës dhe të Gazit.

Po ashtu, Drejtuesi i Sekretariatit EITI morri pjesë në takimin e organizuar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Tregëtisë dhe Prodhimit, z. Steff.

Gjatë takimeve nga ana e  z. Kamberi  u evidentuan prioritetet e Qeverisë Shqiptare, për krijimin e një klime të qëndrueshme dhe të favorëshme për investimet e huaja, nëpërmjet  perfeksionimit të  mekanizmave për  mirëadministrimin e burimeve natyrore në Shqipëri,  si dhe specifikisht me  promovimin e Transparencës   në konformitet me standartet ndërkombëtare.

Në takimet  me  përfaqësuesit e Export-Import Bank of the United States (EXIM Bank), u diskutua me detaje mbi proçeset dhe hapsirat e promovimit dhe financimit të  investimeve amerikane në sektorin Hidrokarbur në Shqipëri.

Po ashtu në takimet me përfaqësues të shumë shoqërive dhe bizneseve ndërkombëtare pjesëmarrëse në event, u evidentua interesi i shtuar dhe konkret i  kompanive amerikane dhe bizneseve nga vende të tjera,  si Kanada, Izrael, Kinë etj.  për të investuar dhe financuar në sektorin Hidrokarbur në Shqipëri.

Eventi i OTC shërben si një platformë globale për prezantimin e ideve dhe teknologjive avangarde, inovacionit dhe kërkimit, marrjen e  vendimeve të rëndësishme, si dhe shfrytëzimin e hapsirave polivalente të  bashkëpunimit dhe partneritetit në biznesin e naftës dhe gazit, për të optimizuar kërkesat aktuale globale në rritje për Energji.

Në Konferencë morën pjesë rreth 60.000 pjesëmarrës nga më shumë se 100 vende, si dhe në panalet e Panairit Ndërkombëtar u përfaqësuan më shumë se 2.300 kompani nga rreth 45 vënde; duke përfshirë edhe prezencën e Presidenteve dhe CEOs nga më të rëndësishmit në Industrinë globale të Energjisë,  si titulllarët e Total;  ConocoPhillips; Halliburton;  National Oilwell Varco; Statoil; DNV GL; GE;  Jacobs Engineering Group; Oceaneering International;  Subsea 7; PEMEX etj.

Në Sesionet dhe panelet e Konferencës u prezantuan  analiza dhe prespektiva lidhur me tema të rëndësishme si: Fisibiliteti i Projekteve dhe infrastrukturave të gazit; Dixhitalizimi i Kontrollit dhe manaxhimit të Riskut në projektet e Gazit; Sfidat qeveritare lidhur me promovimin e Inovacionit dhe kërkimeve shkencore; Zhvillimi i Strategjive për tu përballur me sfidat aktuale të Tregut; Manaxhimi i Impaktit mjedisor në projektet e Gazit dhe të Naftës;  Verifikimi, Validimi dhe kërkesat rregullatore lidhur me Teknologjinë; Integrimi i modulimit të sistemeve  në projektet Hidrokarbure; Modernizimi i teknologjive Gjeoteknike;  Teknikat e fundit në projektet nënujore të tubacioneve; OTC’s The Next Wave program,“50 vitet e ardhëshme: Evoluimi i Tekonologjisë” etj.

Si pjesë integrale e Konferencës në axhendë ishin përfshirë edhe Sesione të veçanta me fokus në Arsimimin, specializimin dhe edukimin e studenteve dhe profesionistëve të rinj,  që asociohet me sektorin eksperimental të eksplorimit dhe inovacionit në tekonologjinë dhe projektet energjitike.

Në sesionet e Konferencës u rivendos  theksi mbi rëndësinë specifike strategjike që ka siguria energjitike kombëtare,  rajonale dhe globale,  në kushtet e sfidave aktuale ekonomike, politike, sociale dhe mjedisore.