Komente për takimet në zonat e industrisë nxjerrëse, Tetor 2016

Në 3 Tetor 2016, në kuadër të anketimit EITI 2015, patëm kontakte e takime me banorë dhe përfaqësues të bashkive të veçanta Librazhd e Përrenjas, ku u diskutua rreth transparencës dhe Raportit EITI. Diskutime të ndryshme me ta dhe problematikat që dilnin ishin të ndryshme : trajtonin problemin e një publiciteti të nevojshëm më afër tyre ( materiale, postera, broshura, seminare e tj.), kërkonin një informacion më masiv dhe të afishuar për treguesit e punësimit, kualifikimit, rezultatet financiare që arriheshin nga subjektet private të zonës, evidentonin problemin e ndotjes së mjedisit dhe mosrehabilitimin  e tij nga subjektet si jepnin shembull jo pozitiv për minierën e Katjelit, tregonin se nuk njihnin dhe nuk kishin asnjë kontakt me shoqëritë civile  etj.

Çfarë mësuam dhe vlerësojmë në këto zona ? Mësuam dhe vlerësojmë se na duhet të rrisim bashkëpunimin edhe më shume me pushtetin vendor të zonave të industrisë minerare, na duhet një nivel komunikimi dhe publiciteti me i lartë, me efikas për periudhat pasardhëse ku të ketë kontakte në vijueshmëri dhe të zërë vendin e vet në to jo vetëm Sekretariati EITI por edhe nënkomisionet apo anëtarët e MSG ( bordit EITI ) dhe veçanërisht shoqëria civile.

Ndër takimet e kryera më datë 13 Tetor 2016 në qytetin e Rrëshenit, Mirditë për plotësimin e pyetësorit EITI 2015, patëm kontakte edhe me përfaqësues të Drejtorisë së Tatim Taksave, pranë Bashkisë Rrëshen Mirditë. Me ta u trajtuan  problemet rreth çështjes dhe  Raportit EITI në atë zone dhe si problematikë konkrete që na rezultoi në këtë bashki ishte e lidhur me mbledhjen e të ardhurave nga renta minerare. Problem kryesor rezulton te jete evidentimi subjekteve private  veçanërisht në sektorin e materialeve të ndërtimit, të cilat kryejnë veprimtari, funksionojnë dhe njihen me emra kompanish por nuk kanë paguar asnjë detyrim për një kohë të gjatë. Të ardhurat e krijuara nga renta minerare për vitin e kaluar në këtë bashki ishin rreth 54.000 leke duke evidentuar kështu edhe mosfunksionimin e minierave dhe subjekteve të licencuar. Në këtë drejtim vlerësoj se si një problem prioritar që kërkohet në këtë zonë për realizimin e detyrimeve ligjore për pagesat  në  Drejtorinë e Tatim – Taksave është bashkërendimi dhe mbështetja që duhet dhënë nga strukturat e tjera të pushtetit vendor duke e vendosur si prioritet për periudhat pasardhëse. Detyrimet ndaj taksave bashkiake dhe veçanërisht pagesat për rentën minerare janë gjithmonë të lidhura me rritjen e të ardhurave në favor dhe për të mirën e komunitetit. Këtë duhet ta kuptojnë dhe ta zbatojnë të gjithë. Kontaktet në vijim dhe seminaret në këto zona për çështjen dhe transparencën EITI do të ndihmonin më tej.

Agim E. Shehu

Koordinator ne Sekretariatin EITI Albania

Tiranë