Intervistë me Drejtuesin e Sekretariatit Kombëtar EITI, Z.Ardit Kamberi

Nga Enio Civici

Cfarë përfaqëson sot EITI?

Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (Extractive Industries Transparency Initiative) është një koalicion ndërkombëtar vullnetar i qeverive, shoqërive që operojnë në këtë industri dhe organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në administrimin dhe përdorimin e burimeve natyrore, të tilla si nafta, gazi dhe minerale. EITI ka për qëllim promovimin e transparencës për të parandaluar korrupsionin, si dhe t’i sigurojë qytetarëve një bazë për të kërkuar përdorimin e drejtë të të ardhurave. Gjithashtu, vlerësohet se transparenca kontribuon pozitivisht në rritjen e investimeve në këtë sektor.

Kur është anëtarësuar dhe sa është zhvilluar bashkëpunimi Shqipëri – EITI?

Shqipëria është një ndër 53 vendet anëtare të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (“NTIN” ose “EITI”), e cila është një nismë globale që ka për synim të përmirësojë qeverisjen në industrinë nxjerrëse në botë. Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (AlbEITI, www.albeiti.org) u themelua në vitin 2009 nga shteti shqiptar. Shqipëria u bashkua si kandidate e EITI-t në maj 2009 dhe fitoi statusin e plotë të anëtarësisë në maj 2013. Që prej aderimit fillestar Shqipëria ka publikuar raporte vjetore duke përmbledhur aktivitetet dhe pagesat e çdo viti duke filluar nga viti 2009 deri në vitin 2014, vitin 2015 dhe së shpejti raportin për vitin 2016.

Cilat janë prioritetet e Sekretariatit Kombëtar EITI?

Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse rregullohet nëpërmjet një standardi ndërkombëtar, “Standardi EITI” që siguron më shumë transparencë rreth administrimit të burimeve të naftës, gazit dhe mineraleve të tjera. Krahas transparencës, aktualisht prioritetet globale janë: orientimi drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik;  rritja e nivelit të besimit të publikut për mënyrën si qeverisen vendet; zbutja e pabarazive të mëdha sociale; menaxhimi i flukseve  të mëdha emigratore si dhe lufta kundër korrupsionit.

Në optikën EITI do ta shikoja në mënyrë shumë elokuente të materializuar shprehjen  “Transparenca është politika më e mirë”. Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) është një iniciativë dhe aleancë ndërkombëtare e institucionalizuar në vitin 2002, me objektivin për të zhvilluar dhe implementuar një mekanizëm për deklarimin dhe transparencën e plotë për publikun si dhe mirëadministrimin e të ardhurave nga burimet natyrore në Shqipëri nëpërmjet Industrive Nxjerrëse dhe Energjisë Elektrike. Standarti EITI, inkurajon shtetet zbatuese, në zhvillimin e sistemeve ekzistuese të raportimit për mbledhjen e të dhënave EITI, duke i ofruar këto të dhëna si më koherente, të besueshme dhe më të dobishme. Të gjitha këto me një kosto efektive dhe efikase. Kjo kërkon dhe do të kërkojë një bashkëpunim efektiv dhe më të gjërë me të gjitha Organet/ Agjencitë raportuese dhe besoj se do të na ndihmoj në implementimin e sukseshëm të EITI-t në Shqipëri. Sekretariati Shqiptar EITI ka bërë progres ndër vite, ku aktualisht në Raportet EITI 2013-2014 dhe Raportit EITI 2015 janë përfshirë, përvec naftës, gazit dhe mineraleve, të dhëna të sektorit të hidroenergjisë.

Në këtë kontekst prioritete kryesore të Sekretariatit Shqiptar EITI mund të veçoj çështjet si më poshtë:

  • Bashkëpunimi ndërmjet Grupeve të Interesit në Nismën  EITI

Sekretariati Kombëtar EITI, si platforma që bashkon në mënyrë interaktive Organet Shtetërore, Shoqërinë Civile dhe Kompanitë Nxjerrëse ka synimin  të garantojë zhvillimin e një proçesi gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent. Është e rëndësishme që grupet e interesit të jenë pjesë e grupeve të punës, me qëllim hartimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor mbi aktivitetin dhe sektorët ku operon EITI.

  • Raporti Zyrtar Vjetor EITI

Përgatitja e Raportit Zyrtar Vjetor EITI në format lehtësisht të aksesueshëm për publikun, me të dhëna të besueshme dhe të një cilësie të lartë është një nga prioritetet kryesore të punës sonë. Aktualisht progresi i Raportit Zyrtar Vjetor EITI për vitin 2016 i cili po përgatitet në bashkëpunimin me Administratorin e Pavarur, Deloitte Audit Albania, është në fazën e mbledhjes së të dhënave nga subjektet private dhe institucioneve shtetërore që raportojnë  dhe në fund të muajit Nëntor, Administratori i Pavarur, pritet të dërgoj Draft Raportin.

  • Miratimi i Ligjit për Trasparencën

Aktualisht EITI është në proçesin e miratimit të draft Ligjit “Për transparencën e veprimtarive të industrive nxjerrëse dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në Republikën e Shqipërisë” Në fund të vitit 2016, kompania ndërkombëtare e kontraktuar nga Sekretariati EITI Shqipëri, Eurosupport, bëri një Raport kërkimor të fokusuar në ‘Analizën e kuadrit legjislativ dhe rregullator kombëtar shqiptar në zbatim të standardeve EITI’. Qëllimi kryesor i këtij rishikimi është përmirësimi i kuadrit ligjor kombëtar, duke e harmonizuar atë me standardet EITI. Kjo pasi vendeve anëtare të EITI u kërkohet që të prodhojnë raporte periodike, për të vlerësuar pajtueshmërinë e qeverisë së tyre me standardet EITI, si dhe për të identifikuar fushat të cilat ende kanë nevojë për përmirësim. Qëllimi i këtij ligji është të nxisë dhe sigurojë rritjen e transparencës në veprimtaritë e industrive nxjerrëse në veçanti dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në përgjithësi, përmes zbatimit të standardeve ndërkombëtare. Ky ligj synon të përmirësojë cilësinë e informacionit për veprimtaritë e industrisë nxjerrëse dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore. Aktualisht ligji është në proçes diskutimi dhe miratimi në institucionet e linjës,  gjithashtu po diskutohet dhe konsultohet me grupet e interesit, për të përmirësuar Draft Ligjin e propozuar.

Cili është komponenti i ri në aktivitetin EITI?

Është e padiskutueshme që komponenti më i ri në aktivitetin EITI konsiston në Përgatitjen e një pakete ligjore për Publikimin e Përfituesve Realë të kompanive që operojnë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri’. Ky komponent u  ripotencua edhe në konkluzionet e Konferencës së fundit Ndërkombëtare EITI, e zhvilluar në Jakarta, Indonezi në muajin Tetor të këtij viti. Në prill të vitit të kaluar, skandali i “Panama Papers” shpërtheu, me 11.5 milionë dokumente të zbuluara, duke implikuar individë të nivelit të lartë me lidhje me sektorin e industrisë nxjerrëse. “Panama Papers” drejtuan gishtin në përdorimin e kompanive nxjerrëse anonime, për të pastruar paratë dhe për të fshehur konfliktet e mundshme të interesit. Për qytetarët e vendeve të pasura me burime natyrore, ku përfshihet edhe Shqipëria, mungesa e transparencës dhe rreziku i humbjeve nga të ardhurat e industrisë nxjerrëse është veçanërisht sensitiv.

Cfarë është realisht kjo paketë ligjore?

EITI vitin e kaluar ka miratuar  rregulla të reja për zbulimin e Pronësisë Reale, në këtë industri, për të gjitha kompanitë nxjerrëse që kanë interesa pjesëmarrëse në një eksplorim ose prodhim, në liçensat e naftës, gazit apo minierave, ose kontrata në një shtet që ka aderuar në EITI. Këto kompani duhet të raportojnë emrin, shtetësinë dhe vendin e banimit të Pronarit Real, si dhe identifikimin e çdo Personi të Ekspozuar Politikisht (PEP). Ky vektor i ri i orientimit të veprimtarisë EITI synon që publikut të vendeve që prodhojnë naftë, gaz dhe minerale, do ti ofrohet një proçes shumë më transparent për deklarimin e pronarëve realë të kompanive që shfrytëzojnë burimet e tyre natyrore. Ndonëse në Shqipëri aktualisht ekziston Ligji nr. 9917, miratuar më 19 maj 2008, për të luftuar Pastrimin e Parave dhe Financimin e Terrorizmit, i cili bën thirrje për shtrirjen e këtyre termave tek kompanitë që punojnë në Industritë Nxjerrëse. Në Janar të vitit 2017, në zbatim të Standardit EITI 2016, Sekretariati Shqiptar EITI  publikoi një Raport mbi analizën e kuadrit legjislativ dhe rregullator kombëtar, (Legal Review Report), gjithashtu draftoi dhe Ligjin EITI, i cili përmban dispozita për Pronarët Realë (BO: Beneficial Ownership). Në këtë kontekst, ndër prioritetet e Sekretariatit Kombëtar EITI, është angazhimi në përgatitjen e një pakete ligjore që rregullon dhe nxit transparencën e Pronarëve Realë deri në vitin 2020, për të gjitha kompanitë nxjerrëse që operojnë në Shqipëri. Ky ligj do të shoqërohet me krijimin e një Regjistri Publik që përmban informacion  të detajuar për Pronarët Realë. Gjithashtu vlen të përmendet se nga Sekretariati Ndërkombëtar EITI është ndërmarrë një fazë pilot mbi transparencën në Tregtimin e Lëndëve të Para (Commodity Trading) të ofruara nga industritë nxjerrëse. Duke qënë se Commodity Trading është një komponent i ri në proçes, Sekretariati Ndërkombëtar do të ofroj asistencë të karakterit teknik për të gjitha vendet pjesëmarrëse. Në kuadër të këtij projekti pilot, Sekretariati Kombëtar EITI ka shprehur gatishmërinë për përmirësim dhe zgjerim në fushën e raportimit për Commodity Trading.

A mund të maten rezultatet e kësaj nisme në kontekstet kombëtare si në rastin e Shqipërisë? A ka një raport apo proçes vlerësimi?

Proçesi i Vlerësimit është një element esencial i Nismës EITI dhe shërben si një mekanizëm i jashtëm dhe i pavarur vlerësimi. MSG dhe Sekretariati Kombëtar EITI në periudhën 05-09 Qershor 2017 priti Misionin e Vlerësimit të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI me qendër në Oslo. Në fund të muajit shtator Misioni i Vlerësimit ka dërguar për komente Draft Raportin Fillestar të Vlerësimit dhe Draft Raportin e Vlerësimit nga Administratori i Pavarur dhe siç jemi informuar Bordi Ndërkombëtar EITI pritet të diskutoj mbi nivelin e progresit të Shqipërisë në mbledhjen e Bordit të Dhjetorit.