Grup Pune për zbatimin e rekomandimeve të Administratorit të Pavarur në Raportin EITI 2015

Më 9 Maj 2017, Sekretariati Shqiptar EITI organizoi në ambientet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë një takim pune me anëtarët e MSG dhe ata me kontribut të përhershëm për zbatimin e rekomandimeve të Administratorit të Pavarur evidentuar në Raportin EITI 2015. Sekretariati Shqiptar EITI prezantoi programin e punës për ndjekje, zgjidhje dhe rakordim nga çdo grup pune me agjencitë e institucionet shtetërore, lëvizjet në terren dhe raportimin e problemeve të dala gjatë kësaj pune të nisur. Pas njoftimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar pjesëmarrje e dialog konstruktiv, vetëm tre institucione shtetërore ju përgjigjën ftesës dhe u paraqitën në takim.

Me pjesëmarrësit nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, nga Ministria e Financës dhe nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar u diskutuan problemet për ndjekje dhe bashkëpunim dhe u ra dakort për pjesëmarrje në organizimin e takimeve me Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe veçanërisht me zyrat e tatim-taksave në rrethe e bashki.