Grumbullimi dhe shpërndarja e rentës minerare në NJQV

Gjatë muajit Maj 2017, për të mbështetur detyrat e dala nga Raporti EITI 2015 dhe problematikat e evidentuara në vitin 2016 për grumbullimin dhe shpërndarjen e rentës minerare në zonat e industrisë nxjerrëse, një grup pune i koordinatoreve të Sekretariatit EITI shqiptar ka ndërmarrë takime pune me drejtues në NJQV në Bashkitë Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Kukës dhe Krume ( Has ).

Në 27 Nëntor 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Ligjin për taksat kombëtare. Sipas ndryshimeve të bëra gjatë vitit 2015 e në vijim, NJQV e reja kanë të drejtën të marrin 5 % të rentës minerare të gjeneruar nga shoqëritë prodhuese në zonat e tyre pa marrë parasysh ndonjë transferim të parashikuar në përputhje me ligjin e buxhetit vjetor.

Në takimet e organizuara dhe veçanërisht në trajtimin e problemit  të rentës minerare me drejtoritë e financës dhe të taksave vendore patëm pyetje e diskutime dhe pasqyruam përvojën e mirë të disa NJQV për situatën dhe mundësitë për përmirësime të mëtejshme në praktikën për zbatimin e ligjeve, udhëzimeve e rregullave në fuqi për këtë problem të rëndësishëm të evidentuar veçanërisht me Udhëzimin nr. 26, datë 4.9.2008 “ Për taksat kombëtare ”, i ndryshuar.  Sipas këtij udhëzimi, NJQV duhet të kryejnë rakordimet me drejtoritë rajonale të tatim – taksave  dhe ato të doganave në fund të çdo muaji dhe ti nisin këto rakordime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave. Njëkohësisht drejtoritë rajonale të tatimeve dhe doganave duhet të dërgojnë brënda muajit informacion analitik për rentën e grumbulluar dhe NJQV përfituese. Mbi bazën e rakordimeve Ministria e Financave kryen transfertat e rentës në NJQV përfituese në muajin pasardhës. Udhëzimi shërben për zbatim si për NJQV në zonat minerare dhe ato hidrokarbure.

Sipas Raportit EITI 2015 renta minerare e grumbulluar për MF rezulton të jetë shpërndarë dhe transferuar në NJQV  në nivelin 3.5 % kundrejt 5 % që parashikon ligji ( 2.57 % në zonat minerare dhe 3.75 % në zonat hidrokarbure ). Në fund të këtij viti mbeteshin edhe 77.4 milion lekë për tu shpërndarë në përputhje me ligjin për taksat kombëtare dhe udhëzimet përkatëse.

Prej vitit 2011 – 2015 trendi i transfertave të rentës minerare në NJQV ka rritje të ndjeshme por vlerësimet e bëra tregojnë që akoma ka punë për të bërë në drejtim të zbatimit të ligjit dhe të përmirësimit të financimit  për NJQV me të ardhurat që krijojnë burimet minerare dhe hidrokarbure të zonave që ato administrojnë.  Ballafaqimi i këtij problemi me MF shprehet se këto mosrakordime në transfertat e rentës minerare janë problematika të pritshme gjatë vitit të parë të zbatimit të ndryshimeve në ligj dhe se ajo në vijim do të prezantojë rregullime të nevojshme të akteve rregullative dhe proçedurave përkatëse. Kjo tregon dhe është një mundësi më shumë për NJQV për të financuar projektet që kanë në dobi të komunitetit. Po a po realizohet kjo?

Në takimet e ndërmarra në NJQV të zonave të përmendura më lart situata na u pasqyrua në një formë që tregonte se akoma nuk ka ndonjë ndryshim në këtë drejtim. Akoma kishte NJQV që nuk kishin asnjë njoftim apo transferta që u takonin për vitin 2015 dhe rakordime të plota për vitin 2016, shkresave të dërguara nga NJQV në sektorët e MF nuk kanë marrë përgjigje, asnjë rregullore e re apo seminar për të sqaruar e gjetur zgjidhje për periudhat para e pasardhëse me NJQV. Nga të gjitha të dhënat  e evidentuara  për  NJQV  të kontaktuara si më lart, rakordime e transferta pasqyronin këtë periudhë vetëm vitin 2017.

Raportet EITI e trajtojnë  problemin e shpërndarjes dhe transfertave  të rentës minerare prej disa vitesh dhe efektet janë ndjere por kërkohet të bëhet më shumë në linjën e bashkëpunimit  të MF e drejtorive përkatëse të saj të tatimeve e doganave me NJQV për të patur realizimin 100 % të ligjit të shpërndarjes së të ardhurave nga renta minerare.  Specialistë e drejtues të drejtorive të ndryshme NJQV na u shprehën me besim se ky problem do të gjejë zgjidhje. Në NJQV Përrenjas evidentoheshe një eksperiencë e mirë në ndjekje dhe në rezultatet në këtë drejtim, në NJQV Has një nga pjesëmarrësit në takim u shpreh se “ Qeveria ka krijuar kuadrin e përshtatshëm ligjor, që duhet zbatuar  dhe shpresojmë se shumë shpejt, dhe me ndihmën e nismës EITI, përfitimet për komunitetin tonë do të vijnë dhe do të jenë shumë konkrete e të prekshme nga njerëzit këtu”.  Në NJQV Librazhd e Kukës  na u shprehën se mirëpresim çdo bashkëpunim me Sekretariatin EITI Albania”

Një kërkesë e drejtë që na u evidentua në takimet e organizuara ishte  e lidhur me pasqyrimin dhe publicitetin sa më të plotë të të dhënave të grumbullimit  dhe të shpërndarjes së rentës minerare për çdo NJQV në zonat minerare, kërkesë që do të ndiqet e realizohet në vijim.

Këto janë problemet dhe ecuria e deritanishme. Takimet e përpjekjet tona, për të nxitur bashkëpunimin mes palëve për të rakorduar të dhënat dhe arritjen e rezultateve më të mira, do të vazhdojnë duke qënë të bindur  se në Raportin EITI 2016 dhe 2017 duhet të pasqyrojmë ecuri e rezultate më të mira të arritura për komunitetet e zonave të industrisë nxjerrëse.

 

Koordinatorët :

Agim E. Shehu

Lluka Gjergo

Sekretariati Kombëtar EITI Albania

Tirane, më 25.05.2017

IMG_4082
IMG_4080
IMG_4081
IMG_4083
IMG_4084