EITI – OSBE: Workshop i Parë Ndërvendor me Pushtetin Lokal lidhur me problematikat e Rentës Minerare

EITI dhe Prezenca e OSBE organizuan në datën 9 Maj në Bashkinë Roskovec, Workshop-in e Parë Ndër-Vendor me Tematikën:  Impakti i Rentës Minerare në komunitetet Lokale.

Në Workshop morën pjesë Përfaqësues të Sekretariatit dhe MSG EITI-Shqipëri, Misionit të OSBE, përfaqësues të Bashkive Fier, Roskovec, Patos, përfaqësues të Ministrisë së Brendëshme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale, AKBN, ekspertë dhe specialistë të sektorit etj.

Në moderimin e eventit dhe fjalën e mbajtur në Workshop, Drejtori i Sekretariatit EITI, z. Ardit Kamberi trajtoi problematika që lidhen me:  

Transparencën në menaxhimin e Rentës minerare; Shpërndarjen dhe maksimizimin e impaktit social dhe mjedisor të Rentës në komunitetet përfituese; Forcimin e kapaciteteve lokale në funksion të  shfrytëzimit të  instrumenteve ligjore për vjeljen; Diskutimi i skenarëve më optimale  për rishikimin e formulës shpërndarëse të Rentës Minerare.

Kryetarja e Bashkisë Roskovec znj. Majlinda Bufi në fjalën e saj theksoi problematikat që lidhen me koordinimin lidhur me përfitimin në kohë dhe në vlerë të Rentës Minerare, si dhe rakordimin ndërmjet Bashkive në funksion të këtij proçesi.

Përfaqësuesit e Bashkive Fier dhe Patos prezantuan vlerat e të ardhurave që gjenerohen nga Renta Minereare në këto Bashki, si dhe diskutuan me përfaqësuesin e MFE lidhur me përllogaritjen dhe minimizimin e vonesave që shkaktohen në shperndarjen e Rentës minerare,  si dhe propozimet konkrete për optimizimin e këtij proçesi.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjensisë për Mbështetjen e Vetë-Qeverisjes Vendore, z. Murati prezantoi proçesin e inicimit nga Qeveria Shqiptare për hartimin  e një Platforme Afatgjate, për Zhvillimin e Zonave me aktivitet në Industrinë nxjerrëse dhe Përpunuese, nëpërmjet  një Grupi Ndërministror Pune.

Përfaqësuesi i OSBE z. Qendro prezantoi në workshop  problematikat që lidhen me bashkëpunimin ndërvendor lidhur me shpërndarjen e rentës në nivel lokal.

Në sesionet e Workshop-it u bënë prezantime edhe nga përfaqësues të MSG EITI – Shoqërisë Civile, Agjensisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe Ekspertëve të kontraktuar nga OSBE, lidhur me praktikat më të mira të bashkëpunimit në nivel Lokal.

Në këtë kontekst EITI dhe Prezenca e OSBE do të organizojnë edhe tre Workshop-e të tjera në nivel lokal,  me Bashkitë ku ka aktivitet të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese, për të finalizuar proçesin në Konferencën Kombëtare me përfaqësuesit e Pushtetit Lokal.