EITI në Shqipëri, rekomandimet kryesore për industrinë nxjerrëse – nga Enio Civici

Transparenca është politika më e mirë kur flasim për industri të cilat shfrytëzojnë burimet natyrore të një vendi. Një ndër organizmat më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm në botë me këtë qëllim është Iniciativa për Transparencë në Industrinë nxjerrëse, EITI. E anëtarësuar në vitin 2013 në këtë koalicion shtetesh, por me bashkëpunim që në vitin 2009 me të, Shqipëria është një ndër 51 vendet në botë të cilat respektojnë standardin EITI lidhur me raportimin e të dhënave mbi kompanitë që operojnë në sektorin minerar, hidrokarbur dhe hidroenergjik. Duke cituar drejtuesin e sekretariatit kombëtar shqiptar për transparencë në industrinë nxjerrëse AlbEITI, z. Ardit Kamberi, do të kujtoja se një koalicion vullnetar i qeverive, biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile si është EITI, është një standard global i cili promovon transparencën dhe miradministrimin e burimeve natyrore të një vendi. Shqipëria ka prodhuar deri tani 6 raporte për 7 vite për periudhën 2009-2015 dhe pritet të publikojë dhe një raport të shtatë brenda tremujorit të parë të vitit 2018 mbi vitin fiskal 2016. Së bashkë me raportimin dhe informacioni e rakorduar e të plotë mbi këto industri, në raportet EITI renditen dhe rekomandimet kryesore të cilat synojnë të adresojnë pengesat për arritjen e suksesshme të procesit të transparencës. Sigurisht që ndër vite rekomandimet kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar e në këtë kontekst duhen renditur ato ndërhyrje të cilat kanë përfaqësuar efektin më të madh rregullator sipas standardit EITI. Me këtë qëllim, nën optikën kurioze të publikimeve ta raporteve që hartohen nga audituesi i pavarur mund të nënvizojmë disa rekomandime kryesore për secilin vit fiskal. Në vitin 2009 rekomandimet ishin kryesisht bazike dhe bazoheshin kryesisht në raportime të certifikuara sipas standardeve të auditimit si dhe në bashkëpunimin më të lartë me qeverisë qendrore, autoriteteve lokale, kompanive dhe koordinatorëve të standardit EITI. Në raportin e vitit 2011, si viti i parë i publikimit rekomandimet kryesor ishin të lidhura me përcaktimin e pikave të kontaktit EITI në të gjithë institucionet si MEI, AKBN, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Drejtoria e Tatimeve, Administrata Doganore etj. Gjithashtu, rekomandime të rëndësishme ishin ato që lidhen me rakordimin e pagesave nga ana e autoriteteve vendore si dhe caktimi i domosdoshëm i një procesi vjetor të skeduluar për raportimin EITI si dy nisma të cilat përfitojnë në kohë dhe në cilësi të dhënat nga kompanitë. Më tej në raportin e vitit 2012 vëmendja më e madhe e rekomandimeve ishte mbi sistemin raportues të autoriteteve tatimore me theks te rekomandimi se Sekretariati EITI në Shqipëri duhet të bashkëpunonte ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të integruar kërkesat për raportimin kontekstual dhe individual në kuadrin e zbatimit të EITI në sistemin e ri tatimor. Në publikimin e raportit për vitin 2013 dhe 2014 rekomandimet më të shumta i drejtohen përdorimit të sistemit të thesarit si sistemin më të rëndësishëm të qeverisë qendrore për të mbledhur të dhënat e sakta sipas të gjitha pagesave nga secili taksapagues. Në raportin e vitit 2015 një nga rekomandimet të cilat janë konsideruar fuqishëm është udhëzimi që kompanitë të raportojnë te Ministria e Energjisë dhe Industrisë për secilën licencë më vete. Nëpërmjet krahasimit të pagesave për çdo licencë me nivelin e prodhimit dhe tatimit, MEI mund të përftojë një bazë të mjaftueshme të dhënash për buxhetimin e të ardhurave dhe analizën e efektivitetit të politikave fiskale në periudhë afatmesme dhe afatgjatë.