EITI në Konferencën Ndërkombëtare “Për Zhvillimin integral të industrisë Minerare me ndikim minimal në Mjedis”

Në datën 10 maj 2019 u organizua në Tiranë, nën kujdesin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, si dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Konferenca  Ndërkombëtare “Për zhvillimin integral të industrisë Minerare me ndikim minimal në Mjedis”.

Konferenca trajtoi problematika që lidhen me prezantimin e potencialeve minerare të dy vendeve, Politikat dhe strategjitë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit, Minimizimin e impakteve negative në mjedis nga aktiviteti minerar, si dhe forcimin e bashkëpunimit real Shqipëri-Kosovë në sektorin Minerar.

Konferenca u përshëndet edhe nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z. Valdrin Lluka, Përfaqësuesi i Kuvendit të Shqipërisë z. Taulant Balla, zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Ilir Bejtja, Kryetari i Bordit të KPMM z. Musa Shabani dhe shumë personalitete të tjera.

Në Sesionet e Konferencës u bënë prezantime që trajtuan: Potencialet dhe resurset e mineraleve metalore, jo-metalore, energjitike dhe industriale dhe studimet për zbulimin e rezervave të reja në Shqipëri dhe Kosovë;  Reabilitimin progresiv të Mjedisit në karrierat minerare; Kontributet e Universitetit dhe Fakulteteve të Gjeologji-Minierave në përgatitjen e specialistëve të lartë në fushën e Gjeoshkencave;  Mundësitë e deshifrimeve shkencore të strukturave naftëmbajtëse në hapsirën detare Shqiptare etj.

Drejtori i Sekretariatit Kombëtar EITI, z. Ardit Kamberi në fjalën që mbajti në Konferencë theksoi rëndësinë e promovimit dhe implementimit të proçesit të Transparencës në aktivitetin Minerar, si dhe rolin aktiv të Alb-EITI për bashkëpunimin me strukturat shtetërore të Kosovës,  lidhur me inicimin e proçesit të anëtarësimit të Kosovës në Iniciativën Ndërkombëtare EITI.

Gjatë Konferencës z. Kamberi zhvilloi takime edhe me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z. Lluka, si dhe me Kryetarin e Bordit të KPMM të Kosovës z. Shabani, ku u diskutua mbi avantazhet reale të anëtarësisë në Koalicionin Ndërkombëtar EITI, si një nga format më konstruktive që optimizojnë dhe proçesin e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian.