EITI në Forumin Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE me temë “ Promovimi i Sigurisë dhe Progresit Ekonomik nëpërmjet kooperimit energjitik dhe konektivitetit”

Nën organzimin e OSBE në datat 27-28 Maj u zhvillua në Bratislavë, Sllovaki, Forumi Ekonomik dhe Mjedisor me temë “Promovimi i Sigurisë dhe Progresit Ekonomik nëpërmjet kooperimit energjitik dhe konektivitetit”, ku me ftesë të OSBE u përfaqësua edhe EITI Shqipëri nga Drejtori i Sekretariatit Kombëtar z. Ardit Kamberi.

Në Sesionet e Forumit u mbajtën fjalë nga Sekretari i Përgjithshëm  i OSBE, Zëvendës Sekretarja e Përgjithëshme e UN dhe Sekretarja Ekzekutive e UNECE, Sekretari i Përgjithshëm i Kartës së Energjisë, Përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqësuesit e EU, si dhe personalitete të tjera politike dhe të organizatave ndërkombëtare.

Sekretariati Ndërkombëtar i Kartës së Energjisë prezantoi në këtë Forum botimin zyrtar të Sekretariatit EIRA 2018,  mbi Vlerësimin e Riskut në Sektorin Energjitik dhe Sigurinë Energjitike në shtetet anëtare të Kartës së Energjisë.

Shqipëria në këtë Raport zyrtar klasifikohet me risk të ulët në sektorin Energjitik dhe theksohet se në komponentin e Transparencës Shqipëria vlerësohet me një pikëzim shumë të lartë 83 pikë, duke lënë pas shumë shtete të tjera në klasifikimin për Transparencën në sektorin Energjitik si: Kroacia, Greqia, Bosnja, Hungaria, Mali i Zi etj.

Gjatë seancave të Forumit z. Kamberi zhvilloi takime me përfaqësues të Sekretariatit Ndërkombëtar të Kartës së Energjisë dhe të delegacioneve të tjera të pranishme në event, ku u diskutua mbi Transparencën,  si një nga elementet thelbësore për informacionin sektorial, si dhe kooperimin dhe nxitjen e klimës për një zhvillim të qëndrueshëm.