EITI – Arritjet dhe Sfidat në Shqipëri nga Prof.Dr.Përparim Alikaj

EITI – ARRITJET DHE SFIDAT NË SHQIPËRI

Prof.Dr.Përparim Alikaj

Anëtar i MSG, ALBEITI

Kryetar i Komitetit të Mineraleve të Naftës & Gazit në Shoqatën e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë (FIAA)

Transparenca është vitrina me të cilën një shoqëri lejon vlerësimin e një prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, sikurse është e drejta për t’u informuar. Si e tillë, ajo ka qënë vazhdimisht në fokus të kërkesës së opinionit publik për t’u njohur me krijimin dhe shpërndarjen e të mirave materiale në shkallë kombëtare.   

Industria nxjerrëse e pasurive natyrore të një vendi (nafta & gazi, mineralet, ujrat, etj), kur ky vend është i bekuar (apo i mallkuar?) nga natyra me këto pasuri, është vazhdimisht në qëndër të vëmëndjes dhe presionit të publikut, përsa i përket të ardhurave dhe mënyrës së shpërndarjes së tyre. Në shumë vënde të pazhvilluara, pasuri të tilla natyrore janë mallkim për to, mbasi janë shkaku i luftrave të brendëshme apo ndërkombëtare, që shoqërohen me krime e masakra të paimagjinueshme të popullsisë së pafajshme, si dhe me ndarjen e këtyre pasurive sipas ligjit të forcës e mashtrimit.

“Iniciativa e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse” (shkurtimisht EITI në Anglisht) u propozua fillimisht në Shtator të vitit 2002 nga Toni Blair, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar i asaj kohe gjatë Samitit Botëror mbi “Zhvillimin e Qëndrueshëm” në Johannesburg, pas vitesh të tëra debatesh akademike, si dhe lobimit të shoqërive civile dhe shoqërive të biznesit mbi menaxhimin e të ardhurave shtetërore nga industritë nxjerrëse. Themelimi zyrtar i EITI-t u bë në 17 Qershor 2003 në Londër, nëpërmjet 140 delegatëve, përfaqësues qeverish, shoqërish të biznesit dhe shoqërive civile, të cilët ranë dakort të ngrinin në një nivel të lartë, sipas disa parimeve bazë, transparencën mbi pagesat dhe të ardhurat në sektorët e industrive nxjerrëse.  

EITI është organizuar si një Platformë jo-fitim prurëse në kuadrin e ligjeve të shtetit të Norvegjisë. Ajo ka tre përbërës institucionalë: Mbledhjen e Anëtarëve, Bordin e EITI-t dhe Sekretariatin Ndërkombëtar EITI me qëndër në Oslo, Norvegji.   Mbledhja e Anëtarëve drejton EITI-n dhe organizon Konferencat Globale të EITI-t, të cilat mbahen çdo dy apo tre vjet.

Çdo vend me sektorë të industrisë nxjerrëse mund të aderojë në EITI, duke zbatuar disa standarte të caktuara të transparencës. Aktualisht janë 52 vënde në shkalle globale që zbatojnë këto standarte, ku përfshihen shtete anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) si Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe vënde nga Afrika, Azia Lindore, Europa dhe Amerika Latine. Secilit nga këto vënde i kërkohet të publikojë një raport vjetor të EITI-t, ku të jepet informacion mbi: kontratat dhe liçensat, prodhimin, të ardhurat, shpërndarjen e të ardhurave dhe shpenzimet sociale e ekonomike.      

Çdo vend anëtar i EITI-t i nënshtrohet një mekanizmi mbi sigurinë e cilësisë, i quajtur “Validim” (vlerësim), të paktën një herë në tre vjet.  Validimi shërben për të vlerësuar nivelin e kryerjes së Standarteve të EITI-t dhe për të nxitur dialogun dhe njohuritë përkatëse në nivel vendi. Ai gjithashtu ruan integritetin e EITI-t, duke i mbajtur të gjithë vendet zbatuese të EITI-t në të njëjtin standart global.    

Qeveria Shqiptare mbështeti iniciativën e EITI-t dhe u angazhua seriozisht në zbatimin e saj në Mars të vitit 2009 dhe në maj të po atij viti Shqipëria u bë vend kandidat i EITI-t (ALBEITI). Me vendimin e Këshillit të Ministrave në Korrik 2010 u krijua Sekretariati i ALBEITI-t, ndërsa me një dekret të Kryeministrit në Korrik 2011 u krijua Grupi Ndëristitucional (MSG) me pjesëmarrje nga shoqëria civile, shoqëritë operuese të industrive nxjerrëse në Shqipëri dhe përfaqësues nga Qeveria. Kryetari i këtij Grupi është Zëvendësministri i Ministrisë që mbulon industrinë nxjerrëse. 

Bordi Ndërkombëtar i EITI-t bëri deklarimin e Shqipërisë si një vend me përpuethshmëri të Standarteve të EITI-t në Maj të vitit 2013. Kjo do të thotë që vendi ka një proçes efektiv për deklarimet vjetore dhe rakordimin e të gjithë të ardhurave nga pjestarët e industrive nxjerrëse. Ky proçes ofron mundësinë për qytetarët të shohin të ardhurat nga shoqëritë e sektorëve të naftës & gazit, minierave dhe hidroçentraleve.

Nëpërmjet angazhimit serioz dhe përkushtimit të Sekretariatit dhe anëtarëve të MSG, Shqipëria ka publikuar deri më sot në kohë e me cilësi raportet vjetore mbi plotësimin e Standarteve të EITI-t, që nga raporti i parë në Prill të vitit 2011, për vitin financiar 2009 e deri në raportin e fundit të botuar në Shkurt të vitit 2018, për vitin financiar 2016. Në raportet e fundit përgatitur nga “Deloitte Audit Albania” janë hedhur gjithashtu hapat e para mbi përfshirjen vullnetare të deklarimeve mbi “Pronarët Përfitues” dhe “Commodity Trading”.

Në Gusht të vitit 2011 Shqipëria kaloi me sukses raportin e parë të Validimit Ndërkombëtar, kusht për të marrë statusin e vendit anëtar të EITI-t, ndërsa në Shtator 2017 përfundoi raporti i dytë i Validimit, i kryer nga shoqëria “Adam Smith” e Validuesve Ndërkombëtarë të Pavarur, në të cilin thuhej se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në zbatimin e Standarteve të EITI-t. Në raport theksohet se në 55 % të kapitujve Shqipëria ka një performancë shumë të kënaqshme (përfshirë angazhimin e Qeverisë, angazhimin e Biznesit, Kuadrin Ligjor, Kontributin në Ekonomi, Debatin Publik, etj); në afro 45 % të kapitujve ka progres të rëndësishem (drejtimi i MSG, Angazhimi i Shoqërise Civile) dhe në vetëm 5 % vleresohen si pa progres.

Shqipëria është një vend me traditë në kërkim-zbulimin dhe shfrytëzimin e mineraleve të dobishme si nafta & gazi, kromi, bakri, hekur-nikeli, qymyr-guri, boksidet, rërat bituminoze, kuarciti, titanomagnetiti, fosforitet, shkriferimet detare e lumore, gipsi, guret dekorative, materialet industriale, etj.

Industritë e hidrokarbureve, mineraleve dhe ajo hidroenergjetike kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme kontribues të rëndësishëm të të ardhurave kombëtare dhe zhvillimit të vendit. Me politikat kombëtare Qeveria Shqiptare ka synuar që zhvillimi i këtyre industrive të bëhet nëpërmjet investimeve nga sektori privat, kryesisht i huaj, por edhe vendas, për vetë riskun e madh ekonomik që ato mbartin dhe sasinë e konsiderueshme të mjeteve financiare që nevojiten. Për këtë qëllim, Qeveria dhe Parlamenti i Shqiperisë kanë hartuar e aprovuar legjislacionin përkatës të këtyre sektorëve industrialë dhe e kanë përmirsuar atë në përputhje me kërkesat e kohës. Qeveria është gjithashtu në dijeni të rëndësisë të menaxhimit të drejtë, transparencës dhe përgjegjësisë që kanë këta sektorë dhe mbështet plotësisht rekomandimet e raporteve të EITI-t, si një mënyrë efektive për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.  

Megjithatë, mendoj se ALB-EITI mund të ngrejë në një nivel më të lartë rekomandimet e tij pranë Qeverisë Shqiptare, për një sërë problemesh që janë hasur në drejtime të ndryshme të aktivitetit nxjerrës në Shqipëri. Më poshtë rënditen disa nga këto probleme që kërkojnë zgjidhje të shpejtë:

  1. Problemi i shpërndarjes së të ardhurave të Rentës minerare në komunat e bashkitë, në territorin e të cilave zvillohen aktivitetet e industrive nxjerrëse. Ky është një problem që akoma nuk ka gjetur zgjidhjen e tij përfundimtare, meqënëse në praktikë hasen vështirësi të ndryshme në shpërndarjen dhe kontrollin e këtyre të ardhurave. Jo vetëm anëtarët e Shoqërisë Civile, por edhe ata të Biznesit në MSG e ALBEITI-t e kanë ngritur vazhdimisht këtë problem, por akoma nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe e argumentuar definitivisht. Vonesa e gjetjes së kësaj zgjidhje përfundimtare nuk është një minus i madh vetëm për publikun e zonave të aktivitetit nxjerrës, por edhe për investitorët që operojnë në këto zona.  Duke mos parë përfitimet që i takojnë  nga Renta minerare e industrive nxjerrëse, ky publik në përgjithësi nuk do të jetë në favor të aktiviteteve nxjerrëse në zonën e tij. Si rrjedhim, klima e konflikteve midis investitoreve dhe banorëve të zonave të aktivitetit nxjerrës do të jetë gjithmonë e acaruar dhe do të krijojë vështirësi edhe në investimet e huaja direkte në Shqipëri. Pa zgjidhjen përfundimtare të problemit të shpërndarjes së Rentës minerare, Shoqëritë nxjerrëse do të lihen gjithmonë me një argument më pak në debatin e vazhueshëm midis tyre dhe popullsisë lokale apo ambjentalistëve.  
  1. Problemi i marrjes seriozisht të mendimit të grupeve të interest (biznesit e shoqërisë civile) nga ana e Qeverisë, në mënyrë të veçantë nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), për kryerjen e ndryshimeve të nevojshme në Legjislacionin dhe vendimet që rregullojnë aktivitetin e industrive nxjerrëse. Si shembull të parë mund të marrim propozimet e bëra nga ALBEITI mbi ndryshimet në Ligjin Minerar nr. 10304, datë 15.072010 dhe VKM-ve shoqëruese. Është diskutuar disa herë në mbledhjet e MSG mbi këto ndryshime, por ato akoma nuk janë finalizuar nga MFE. Ndryshimet kanë të bëjnë me shpenzimet e detyrueshme për kilometër katror dhe garancinë e lartë bankare të investimit (75% e investimit) gjatë periudhës së Kërkim-zbulimit, etj. Pranohet se amendimet e nevojshme për këtë çështje do t’a bëjnë më tërheqëse e konkuruese Shqipërinë në afrimin e investitorëve të huaj në industrinë Minerare, por ato akoma nuk janë berë. Duhet kuptuar drejt gjithashtu fakti se industria Minerare nuk përfshin vetëm proçesin e shfrytëzimit të mineraleve, por edhe kërkim-zbulimin e tyre, pa të cilin vetë shfrytëzimi i ka vitet e numuruara. Koncepti se tashmë, Shqipëria i ka studiuar e zbuluar gjithë mineralet e dobishme, është sa naiv aq edhe i dëmshëm për industrinë Minerare. Si shembull të dytë mund të marrim ndryshimet e shpeshta dhe të paargumentuara ekonomikisht të Rentës minerare, sikuse ishte tani se fundi rasti për kromin dhe zhavorret bituminoze. Edhe për këtë çështje, MFI duhet të dëgjojë më mirë argumentat e biznesit përpara marrjes së vendimeve përkatëse, të cilët mund të jenë me pasoja të padëshiruara.
  1. Sensibilizimi i gjerë i publikut mbi konceptet dhe zbatimin e Standarteve të EITI-t në Shqipëri është një sfidë mjaft e rëndësishme për ALBEITI-n.  Veç punës aktuale që Sekretariati dhe anëtarët e MSG së ALBEITI-t kanë realizuar për këtë qëllim, do të ishte me interes dhe zyrtarizimi i përfshirjes së njohurive mbi këto Standarte në arsimin e lartë në disa fakultete, si Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakultetet e Drejtesisë dhe Ekonomikut të Universitetit të Tiranës, si dhe në fakultete analoge të Universiteteve private.

Për këtë qëllim, në vijim të një proçesi shumë pozitiv që është inicuar nga Sekretariati Kombëtar EITI, do të nevojitej një koordinim i materializuar midis ALBEITI-it dhe këtyre Universiteteve, për ta institucionalizuar definitivisht këtë kërkesë dhe për ta realizuar ate në interes të njohurive, informacionit dhe debatit akademik.

 

Tiranë, 4/02/2019