Anketa mbi impaktin EITI në komunitet

Më 13 Shtator, 2016, në fillim të përgatitjes së Strategjisë së Komunikimit EITI 2016 – 2017,  Sekretariati Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse zhvilloi të tretin anketim EITI për të matur impaktin që ka EITI në komunitet deri më tani. Ky anketim vjen edhe pas publikimit të Raportit EITI 2013 dhe 2014, i cili përmban informacion koherent mbi zhvillimet e industrisë nxjerrëse si dhe për herë të parë  përfshin dhe informacion mbi Hidroenergjinë, për të matur impaktin që informacioni i publikuar në këtë raport ka patur në komunitet.

Anketimi EITI është kthyer tashmë në një aktivitet të përvitshëm i cili synon të masi impaktin e Nismës EITI në komunitet duke bërë të mundur takimet e drejtë për drejta me qytetarët zonave ku operon më së shumti industria nxjerrëse. Ndër qytetet ku u zhvillua anketa e tretë janë si Pogradeci, Korça, Bulqiza, Burreli, Librazhdi, Kukësi, Vlora, Patosi, Fieri, Përrenjasi, Rrësheni, Vaut i Dejës dhe Tirana.

Pyetësori konsistoi në 21 pyetje, për të prodhuar të dhëna se sa njohuri kanë qytetarët e Shqipërisë rreth industrisë nxjerrëse, Nismës EITI dhe investimeve në komunitetin e tyre nga të ardhurat që sjell kjo industri në arkën e buxhetit të shtetit. Anketimi zgjati deri në fillim Nëntori 2016 dhe shërbeu edhe si një mjet promovimi i Nismës EITI, ku stafi i Sekretariatit Shqiptar EITI zhvilloi takime me përfaqësues të të gjitha bashkive ku u fol rreth implementimit të Nismës EITI në Shqipëri, publikimit të raporteve vjetore EITI, si dhe rreth problematikave që hasin këto bashki në mbledhjen e të ardhurave nga renta minerare, etj.

Ashtu si edhe dy vite më parë, pyetjes “Se çfarë burimesh natyrore ka/shfrytëzohet në Shqipëri/qytetin/zonën tuaj?”, rezultoi se 95% e të anketuarve ishin në dijeni të ushtrimit të aktivitetit nxjerrës në komunitet. Megjithatë besimi të qytetarët se kjo industri shfrytëzohet për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të komuniteteve është shumë i ulët.

Kjo tregohet edhe në përgjigjet ndaj pyetjes “A mendoni se pas këtyre kompanive mund të ketë pronarë të fshehur si politikanë, deputet dhe zyrtarë të tjerë?” rreth 90% e të anketurave u përgjigjën, që po mendojmë që pas këtyre kompanive përfshihen njerëz me pushtet politik.

Gjithashtu numri i lartë i papunësisë, problemet në infrastrukturë ishin disa nga shqetësimet kryesore të ngritura nga qytetarët ku dhe rreth 90% e të anketuarve pyetjes “Kush mendoni se përfiton nga pagesat/ të ardhurat që vijnë nga industria nxjerrëse?” u përgjigjën, pronarët e kompanive dhe pushtetarët.

Megjithëse EITI Shqipëri deri më tani ka publikuar 6 Raporte EITI, duke dhënë informacion të detajuar dhe koherent mbi zhvillimet e industrisë nxjerrëse në vend, herë pas here ka zhvilluar takime dhe seminare me grupet e interesit në zonat ku është e përqëndruar industria nxjerrëse, vihet re se informacioni që qytetarët kanë për Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse është ende i ulët. Duke parë një përqindje të ulët të përgjigjeve pozitive rreth pyetjes “EITI është Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. Keni dëgjuar ndonjëherë për të?”, na nxit të vijojmë fushatën promovuese më intensivisht në zonat ku operon industria nxjerrëse.

Gjithashtu Sekretariati Shqiptar EITI duke parë dhe problematikat e ngritura në takimet e zhvilluara  gjatë “Anketës EITI 3”, në Strategjinë e re të  Komunikimit Nëntor 2016 – Dhjetor 2017, ka përfshirë një sere aktivitetesh informuese për qytetarët si: zhvillimi i tryezave të rrumbullakta me shoqërinë civile, gazetarët, konferenca për shtyp për raportin EITI 2015 dhe 2016, seminare të hapura me studentët e fakuletit gjeologji miniera, gazetarisë, financës, ekonomisë, fushata ndërgjegjësuese në zonat nxjerrëse dhe seminare informuese për banorët e komuniteteve të prekura nga industria nxjerrëse, fushata në televizione kombëtare dhe lokale, trajnimin e stafeve të pushtetit lokal si dhe shumë aktivitete të tjera gjithë përfshirëse.

Ishte në interesin tonë të merrnim opinionin e qytetarëve duke i pyetur “Nga cili kanal komunikimi do të donit të informoheni për Nismën EITI” ku një numër i lartë i të anketuarve sygjeruan për Sekretariatin Shqiptar EITI, përdorimin më të madh të Televizioneve Kombëtare si kanal komunikimi.

Falenderojmë të gjithë qytetarët që morrën pjesë në anketën EITI dhe duke marrë në konsideratë të gjitha përgjigjet, transparenca në industrinë nxjerrëse mbetet objektivi kryesor për mirëqeverisjen e burimeve natyrore në dobi të komunitetit.